Njësia amerikane US Marshals zbarkoi mëngjesin e sotëm në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” për të bërë ekstradimin nga Kosova në SHBA të një personi për të cilin kishte urdhërarrest nga SHBA për dyshimet për krime kibernetike, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Dorëzimin e tij e bëri Policia e Kosovës pasi e arrestoi mëngjesin e sotëm në Prizren.
Veriu.info mëson se personi i arrestuar dhe ekstraduar është Hektor Avdyli, nipi i ish deputetit të Guxo, Haxhi Avdyli.

Madje ishte vet ish deputeti Avdyli që promovonte nipin e tij për punën e “suksesshme” në fushën e inovacionit.

Për çfarë dyshohet Hektor Abdyli?
Sipas dokumenteve të autoriteteve amerikane, përfshirë aktakuzën e datës 7 tetor 2025, Hektor Avdyli dyshohet për disa vepra penale, mes tyre mashtrim përmes komunikimeve elektronike, mashtrim me pajisje të qasjes, vjedhje të identitetit në rrethana rënduese dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Në dokumentacionin e dorëzuar për ekstradim përfshihen edhe deklarata nën betim të prokurorit federal Benjamin Proctor dhe agjentes speciale të FBI-së, Madeline Hoehnen.
Dyshimet e autoriteteve amerikane lidhen edhe me transaksione përmes Bitcoin-it, të dhëna të një llogarie në platformën Binance të regjistruar në emrin e tij, si dhe blerje të kontrolluara të të dhënave të kartelave të kreditit.
















