Një 29-vjeçar, i dyshuar se ka dhunuar seksualisht të dashurën e tij 28-vjeçare në Llapnasellë të Graçanicës, është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
I dyshuari u paraqit vetë më 18 nëntor në Njësinë e Hetimeve në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati. Pas intervistimit, prokurori vendosi ta ndalojë.
Gruaja e denoncoi rastin më 16 nëntor. Sipas deklaratës së saj, një ditë më parë i dashuri, me të cilin ishte në lidhje rreth tri javë, e mori nga shtëpia për kafe. Rrugës i tha se do të shkonin në motel. Ajo refuzoi, por ai vazhdoi drejt motelit “Delfin”. Ajo thotë se aty e futi me forcë në dhomë dhe e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Më pas e ktheu afër shtëpisë, raporton Gazeta Sinjali.
Hetuesit identifikuan përmes kamerave të motelit një BMW të bardhë, që dyshohet se e drejtonte i dyshuari. Sipas informacioneve fillestare, ekzaminimi mjekësor gjeti shenja që mbështesin dyshimin për dhunim.
Rasti hetohet për veprën penale “Dhunim”. I dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.











