Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se një vendim i tillë do të ishte në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe do të rrëzonte pretendimet e Rusisë për ta përdorur rastin e Kosovës si arsyetim për aneksimin e territoreve. Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka theksuar se pavarësia e Kosovës dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia janë dy çështje krejtësisht të ndryshme, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë juridik e politik.
Kurti ka rikujtuar se Zelensky, në gusht të këtij viti, deklaroi se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Ai ka vënë në dukje se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, të cilën e cilësoi si një nga aleatët më të afërt të Rusisë. Në të njëjtën kohë, ka theksuar se Kosova ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën përballë agresionit rus, duke iu bashkuar sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, duke strehuar gazetarë ukrainas dhe duke ofruar ndihmë ushtarake e trajnime.
Në shkrimin e tij, Kurti ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka përdorur rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas Kurtit, pavarësia e Kosovës nuk mund të shërbejë si precedent për pushtimin e territoreve, pasi ajo ishte rezultat i represionit dhe aparteidit ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftës, spastrimit etnik, krimeve dhe ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Ai ka përmendur gjithashtu administrimin ndërkombëtar, negociatat për statusin përfundimtar të udhëhequra nga Martti Ahtisaari dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Kryeministri ka argumentuar se njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor ndaj Prishtinës, por një qëndrim në mbrojtje të parimeve të rendit ndërkombëtar, të cilat edhe vetë Kievi po i mbron përballë agresionit rus. Ai ka theksuar se aneksimi i një territori përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me pavarësinë e Kosovës, të arritur pas luftës, administrimit ndërkombëtar dhe një procesi diplomatik. Sipas tij, të dyja vendet kanë orientim të përbashkët strategjik drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa në përfundim të opinionit i ka bërë thirrje Zelenskyt që ta njohë Kosovën, me mesazhin: “Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”.














