Nadir Çausholli pronar i kompanisë “CFO Green”, një rrjet i gjerë i barnatoreve në Kosovë dhe Shqipëri është gjobitur me 2 mijë euro nga Inspektorati Farmaceutik i Kosovës pasi një nga barnatoret e tij kishte shkelur ligjin.
Çausholli është nga Shqipëria dhe atje ka pasur shpeshherë probleme me ligjin, madje në një rast u dënua nga gjykata me 1 vit burgim për mashtrim me çmimin e barnave, por që Apeli ia zëvendësoi burgun me orë punë për komunitetin.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar dokumentet e Inspektoratit Farmaceutik, ku shihet se ky inspektorat ka realizuar inspektim në barnatoren CFO Green Njësia 44 në Rahovec në rrugën “Avdullah Bugari”, ku gjeti shkelje të ligjeve për shëndetësi në vend.
Sipas raportit të inspektimit shihet se inspektimi nga inspektorët farmaceutik është realizuar më 29 prill 2026 pas ankesës së pranuar se kjo barnatore po ofronte shitje të barnave pa farmacist të licencuar.
Raporti i inspektimit zbulon se në momentin e realizimit të inspektimit në barnatore nuk ishte farmacistja përgjegjëse Mirlinda Hysenaj Hoti dhe kësisoj është shkelur Ligji për Shëndetësi, Ligji për Pajisje dhe Produkte Medicinale.

Pas kësaj Inspektorati ka nxjerrë dy vendime për gjoba.
Këto vendime që i ka siguruar Veriu.info shihet se pronari i kompanisë CFO Green, Nadir Çausholli, është gjobitur me 2 mijë euro, kurse farmacisjta përgjegjëse me 1 mijë euro gjobë.


CFO Green potencialisht po rrezikonte shëndetin e qytetarëve pasi një bar i dhënë gabim nga një person jo adekuat mund të jetë problematik për shëndetin e atij pacienti.














