Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për dështime në arsim dhe drejtësi, si dhe për mungesë të perspektivës për qytetarët.Në një reagim në Facebook, Gashi ka thënë se pas gati shtatë vjetësh në pushtet, sipas tij, Kurti vazhdon ta paraqesë varfërinë si kënaqësi, ndërsa largimin e qytetarëve nga vendi si pasojë të pakënaqësisë me fqinjët.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, pushteti i arsyeton problemet në arsim dhe drejtësi duke ia faturuar ato qeverisjeve të mëparshme.“Për ata që kanë pak, kur marrin pak, është shumë”, ka cituar ndër të tjera ai.
Sipas tij, kur një qeveri nuk ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve, përpiqet t’i bindë ata të kënaqen me atë pak që kanë.“Budallakia nuk ka skaj! Pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti ende na shet varfërinë si kënaqësi, ikjen e qytetarëve si pakënaqësi me fqinjët, ndërsa dështimet në arsim e drejtësi si probleme të trashëguara. Ky është mentaliteti i një pushteti që nuk synon ta nxjerrë qytetarin nga varfëria, por ta mësojë të jetojë me të. Kur nuk di çfarë t’u ofrosh qytetarëve, fillon t’ua ulësh pritjet!”, ka shkruar Gashi.












