Një person me inicialet E.A. është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se kishte mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute. Përmes një fushate në platformën “GoFundMe”, ai dyshohet se kishte grumbulluar 189 mijë e 206 euro e tetë cent. Prokuroria ka bërë të ditur se paratë janë bllokuar në llogaritë bankare të evidentuara lidhur me rastin, raporton Veriu.info.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person i cili dyshohet se kishte sajuar një histori të pavërtetë për gjendjen e tij shëndetësore, me qëllim të përfitimit pasuror.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari që nga 9 nëntori 2026 kishte pretenduar se ishte i prekur nga sëmundja e “Leukemisë Akute”, duke kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët.
“Dyshohet se nga data 09 nëntor 2026 me qëllim të përfitimit pasuror ka sajuar një ngjarje të pa qenë ku aludonte se është i prekur nga sëmundja e ‘Leukemisë Akute’, gjë që pas verifikimit të historisë së tij i njëjti nuk vuante nga një sëmundje e tillë”.
Prokuroria bën të ditur se i dyshuari kishte hapur edhe një fushatë në platformën “GoFundMe”, përmes së cilës kishte zhvilluar aktivitet për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë.
Shuma e grumbulluar, sipas Prokurorisë, arrin në 189 mijë e 206 euro e tetë cent.
“…Kishte hapur dhe një ‘Gofund’ ku kishte zhvilluar aktivitet në Kosovë dhe diasporë me qëllim të grumbullimit të mjeteve financiare kinse për shërim e rehabilitim, ku shuma e grumbulluar arrin shifrën e njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent (189.206.8 euro)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas pranimit të informacioneve të para për rastin, Prokuroria dhe Policia kanë ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë bllokimin e parave në llogaritë bankare të evidentuara.
“Me të marrë informacionet e para Prokuroria Themelore në Gjilan së bashku me Policinë e Kosovës ka reaguar menjëherë, ku fillimisht ka bllokuar shumën e parave të grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara lidhur me rastin, dhe të njëjtin e ka vendosur në kërkim policor”, thuhet më tej në njoftim.
I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ndaj tij, brenda afateve ligjore, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan. Personi dyshohet për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës./Veriu.info















