Një fushatë humanitare e nisur me pretendimin se 20-vjeçari Endrit Azemi nga Gjilani vuante nga leukemia akute, dyshohet se ishte e sajuar. Përmes thirrjeve për ndihmë, sipas Prokurorisë, ai arriti të grumbullonte afro 190 mijë euro nga qytetarët.
Azemi, i cili tashmë është arrestuar nën dyshimin për mashtrim, ishte bërë pjesë e një fushate të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat kosovare. Në emër të tij kërkoheshin donacione për trajtim jashtë vendit, ndërsa në GoFundMe ishte publikuar një thirrje ku thuhej se trajtimi në Turqi kushtonte 253 mijë e 770 euro, shkruan Insajderi.
Gjatë kësaj fushate, vetë Endrit Azemi ishte shfaqur në video, ku falënderonte persona të njohur dhe figura publike për mbështetjen financiare. Në njërën prej paraqitjeve, ai kishte deklaruar se ndodhej në Turqi dhe se po priste t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjike.
Në rrjetet sociale ishin publikuar edhe mesazhe emocionale nga një grua e identifikuar si Kosovare Azemi, e cila paraqitej si motra e tij dhe kërkonte ndihmën e qytetarëve për shërimin e 20-vjeçarit.
Por, sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, hetimet dhe verifikimet e historikut shëndetësor kanë treguar se i dyshuari nuk vuante nga leukemia akute.
Organi i akuzës ka bërë të ditur se përmes kësaj fushate janë përfituar 189 mijë e 206 euro e 8 centë, ndërsa mjetet financiare në llogaritë bankare të identifikuara në lidhje me rastin janë bllokuar.
Endrit Azemi u arrestua më 21 nëntor, rreth orës 22:00, dhe u ndalua për 48 orë. Prokuroria ka njoftuar se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Rasti po hetohet për veprën penale të mashtrimit./Insajderi.org














