Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka zhvilluar kontrolle në disa lokalitete të Malit Mokna në Istog, përfshirë Moknën, Lugin e Butë dhe Corrovodën, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve off-road jashtë rrugëve të lejuara.
Gjatë këtij aktiviteti janë evidentuar shkelje dhe janë shqiptuar vërejtje, ka deklaruar Pacolli.
Pacolli ka thënë se qarkullimi i pakontrolluar i këtyre automjeteve dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra dhe ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave.
Ajo ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë dhe se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore, duke theksuar se zonat natyrore nuk do të lejohen të shndërrohen në pista për gara me automjete.
Postimi i plotë:
Parqet tona kombëtare nuk janë pista për gara të automjeteve off-road!
Inspektorati i Mjedisit në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ishin sot në terren në disa lokalitete të Malit Mokna në Istog, përfshirë Moknën, Lugun e Butë dhe Corrovodën, në të gjitha zonat ku frekuentojnë përdoruesit e motoçikletave, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve off-road jashtë rrugëve të lejuara.
Qarkullimi i pakontrolluar i mjeteve motorike dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra, ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave, si dhe cenon ekuilibrin natyror të këtyre ekosistemeve.
Vlerat natyrore të Moknës dhe të gjithë Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” duhet të mbrohen. Nuk do të lejojmë që zonat tona natyrore të shndërrohen në pista për gara të cilat dëmtojnë mjedisin.
Gjatë këtij aktiviteti janë shqiptuar vërejtje për shkeljet e evidentuara. Kontrollet nga inspektorati do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ketë masa ligjore.














