Katër persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate ka thënë se dy prej tyre dyshohen se kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes, ndërsa dy të tjerët dyshohen se i kanë ndihmuar kryesit pasi u krye vepra, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Prokuroria thotë se ka siguruar prova materiale dhe do të kërkojë paraburgim për të katërt.
Komunikata:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër (4) persona për 48 orë.
Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N.S., dhe D.S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ’‘Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M.P. dhe G.B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohet.
Në kuadër të procedurës penale, Prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.














