Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kundërshtuar miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, duke pretenduar se për miratimin e tij nevojitej edhe shumica e votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës.
Në një intervistë për KoSSev, Rashiq ka argumentuar se projektligji prek mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura, prandaj duhet të trajtohet si ligj me interes vital. Ai u miratua më 20 nëntor, me 62 vota për, tetë kundër dhe një abstenim.
Rashiq ka paralajmëruar se do të propozojë amendamente, duke shprehur shqetësime për nenet 5 dhe 6, të cilat sipas tij mund të krijojnë mbivendosje kompetencash me institucionet ekzistuese. Ai ka kërkuar gjithashtu përfshirjen e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në procesin e mëtejmë të hartimit të ligjit.
Duke komentuar deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, për trashëgiminë ortodokse dhe përdorimin e kishave si kazamate e bunkerë gjatë luftës, Rashiq i ka cilësuar ato si të papërshtatshme. Ai ka bërë të ditur se shqetësimin për këto deklarata ia ka përcjellë edhe udhëheqjes së ngushtë të Vetëvendosjes.












