Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, duke e bërë atë përgjegjëse për një pjesë të madhe të rezultatit zgjedhor të vitit 2021 dhe zhvillimeve politike në pesë vitet e fundit.
Në një intervistë në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin”, Hoti ka rikujtuar se Osmani ishte pranuar në LDK dhe se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie kishte vendosur që ajo të ishte bartëse e listës zgjedhore.
Ai ka kritikuar edhe deklaratat e fundit të Osmanit, duke thënë se ato kanë humbur çdo relevancë publike dhe se nuk ia vlen t’u kushtohet shumë kohë diskutimeve rreth tyre.
“Besoj që për njerëz të tillë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë hapësira politike që iu jepet”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se Osmani fillimisht ishte larguar nga LDK-ja, kishte formuar subjektin politik “Guxo” dhe më pas ishte kthyer sërish në këtë parti.












