Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr nga Ejup Maqedonci, ka shpërblyer me kontratë një grup të operatorëve ekonomikë për furnizimin me jelekë taktikë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndonëse në garë ishin pesë oferta me çmime më të ulëta se ajo e kompanive fituese.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të publikuar në platformën E-Prokurimi, kontrata në vlerë prej 328 mijë eurosh i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë RUNWAY SH.P.K. dhe Sabit Makiqi B.I., raporton Veriu.info.
Në këtë aktivitet të prokurimit kishin konkurruar gjithsej 13 operatorë ekonomikë, por oferta e përzgjedhur nuk ishte më e lira. Përkundrazi, pesë oferta të tjera kishin vlera dukshëm më të ulëta.
Oferta më e lirë ishte ajo e kompanisë SSI LOG L.L.C., në vlerë prej 240 mijë eurosh, e ndjekur nga PI ER TECHNICAL me 264 mijë e 920 euro.
Ndërsa grupi Every Day KTM SH.P.K. dhe Carino Tekstil Sanayi Ticaret Limited Sirketi kishte ofruar 277 mijë e 280 euro.
Në garë ishin edhe grupi Hasan Gjosha B.I. dhe Ozyigit Textile, me ofertë prej 296 mijë e 720 eurosh, si dhe Fitim R. Bilalli B.I., me ofertë prej 298 mijë e 80 eurosh.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes vendosi që kontratën t’ia japë grupit të opratorëve ekonomikë RUNWAY SH.P.K. dhe Sabit Makiqi B.I., me ofertë prej 328 mijë eurosh.
Vlera fillestare e parashikuar e kontratës ishte 470 mijë euro, ndërsa kontrata është dhënë më 1 tetor 2026, pas rivlerësimit dhe vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me numër 2026/0427. Nënshkrimi i kontratës ishte paraparë për 30 nëntor 2026./Veriu.info














