
Deputeti i LVV-së, Dimal Basha ka qenë sot në qendër të vëmendjes pas debatit që pati me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn në korridoret e objektit të Kuvendit të Kosovës.
Debati që ndodhi pas ndërprerjes së mbledhjes së Komisionit Parlamentar, nxiti reagime të shumta në publik ndaj deputetit të VV-së, për gjuhën e përdorur ndaj Jasharaj.
E Bashën së fundmi e ka kritikuar edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Petrit Zogaj, i cili ka përmendur edhe suksesin shkollor të Bashës, i cili ishte bërë viral gjatë javëve të fundit.
“Nëse ke qenë nxënës i dobët në shkollë fillore e të mesme dhe njëkohësisht bandit, gjasat e mira janë që të mbetesh i njëjtë edhe kur të rritesh, pa marrë parasysh nëse merr ndonjë diplomë fakulteti. Ky përfaqësuesi i popullit, pos në shkollë të mesme, po tregohet i dobët, i paedukatë e me plot probleme bazike të mirësjelljes edhe tash”, ka shkuar Zogaj në Facebook.
Ai ka kritikuar krahasimin që Basha i ka bërë sot mësimdhënësve në kohën e Millosheviqit me vitet e sotme.
“Njëkohësisht po i thotë mësimdhënësve siç keni sakrifikuar në kohën e Millosheviqit, bëjeni edhe tash një sakrificë të vogël në kohën e Albinit”, ka shkruar Zogaj.
Zogaj ka thënë se këto paralele i nxjerr “një nxënës i dobët”.











