Pavarësisht rritjes së inflacionit dhe përballjes së përditshme të qytetarëve me krizën ekonomike, nga Qeveria Kurti vazhdojnë të deklarohen se ka rritje ekonomike e hapje të reja të vendeve të punës.
Një deklaratë të tillë e bëri sërish zv/kryeministri i parë, Besnik Bislimi.
Bislimi ka thënë se s’ka aspak dyshime për rritjen ekonomike në Kosovë si dhe për punësimin.
Në tryezën e organizuar me temën “Agjenda Evropiane 2022”, Bislimi ka folur për vlerësimin e fundit të bërë nga Bashkimi Evropian për Kosovën, duke u ndalur të flasë për “sukseset e mëdha” të Qeverisë së Kosovës.
Me këtë rast, ai ka përmendur edhe rritjen ekonomike prej 10,7 për qind, duke thënë se për këtë “nuk ka dyshime”.
“Është një shifër e dokumentuar. E njëjta vlen edhe për punësimin, për arsye se shumë herë po thuhet nuk po duken vendet e punës. Vendet e punës nuk ekspozohen në shesh për me i pa, por janë pjesë e publikimit të statistikave”, tha Bislimi.
Ai gjithashtu tha se ka lista të bizneseve, me të cilat tha se mund të dëshmohet shtimi i 35 mijë vendeve të punës.
“Kujtdo që i intereson, unë e kam listën e të gjitha 71 mijë bizneseve në Kosovë për secilin prej tyre sa vende të punës i ka shtuar që nga viti 2020 deri në vitin 2021 dhe mund të themi saktë se ku janë këto 35 mijë vende të punës edhe me regjione […] Shifrat ekzistojnë dhe janë edhe të qasshme për publikun”, tha ai.













