Pak çaste më parë, LVV përmes një komunikate për media, konfirmoi udhëheqësinë e re.
Nga emrat që u panë, spikatën Glauk Konjfuca si nënkryetar i parë e Alim Rama, milioneri i VV-së, që tash e tutje do ta ushtrojë pozicionin e sekretarit organizativ.
Në mbledhjen gjegjëse ka folur edhe kryeministri, i cili javë më parë fitoi besimin e partisë për ta drejtuar këtë të fundit edhe një tjetër mandat.
“Kjo është një mbledhje e veçantë dhe shumë e rëndësishme, sepse sot në këtë mbledhje do të zgjidhet kryesia e katërt që do të drejtojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Qysh prej vitit 2011, atëherë kur e patëm mbajtur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm, saktësisht me 25 qershor 2011, kanë kaluar mbi 11 vite prej atëherë, dhe çdo katër vite ne kemi zgjedhur organet e reja, sipas ligjit e sipas frymës demokratike.
Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi patur stabilitet gjithmonë. Edhe në raste kur kemi patur përndjekje të padrejtë si opozitë që kemi qenë, edhe në rastet kur kemi patur sabotime, kemi arritur gjithmonë të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet, dhe të ecim përpara sipas mandatit e me përgjegjësi të plotë. Jam i bindur se edhe kryesia e re, që do ta zgjedhim këtu së bashku sot, do të ecë përpara me punë, përgjegjësi e sukses, për një mandat të plotë katër vjeçar”, kishte thënë ndër të tjerash Kurti para të pranishmëve.
Megjithatë, është vërejtur një detaj interesant. Mungon emri i njërit prej figurave kyçe të partisë që nga themelimi. Bëhet fjalë për Liburn Aliun.
Ministri aktual i Infrastrukturës është kritikuar vazhdimisht për punën e tij, derisa kishte rënë nën “radarin” edhe të Gazetës Nacionale, kur në Ditarin e Buzhalës u publikua skandali me Florent Ramqajn, gjë për të cilën kishte fituar hetimet edhe prokuroria.
Sipas të dhënave të publikuara, mësohet se ai nuk ka vend në organet drejtuese. Arsyeja vështirë të parashikohet, megjithatë, zërat për mosmarrëveshjes mes kreut Kurtit e Aliut kanë ekzistuar edhe në të kaluarën.
Thuhej që vet Kurti e kishte akuzuar ministrin aktual Aliun për qëndrimin e tij me oligarkë.












