
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i prerë në vendimin për targat.
Ai ka thënë se afati i fundit për konvertimin e tyre në targa RKS është 31 tetori.
Me këtë vendim të sotëm, Kurti ka vendosur që të mos përfill kërkesën e Departamentit të Shtetit e as të Bashkimit Evropian të cilët kanë kërkuar që ky afat të shtyhet edhe për 10 muaj.
Ani, pse i njëjti nga ta po vlerësohet se është legjitim.
“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.
Ish-ministri Veliu: Qeveria t’i llogarisë të mirat dhe të metat e kërkesës për shtyrje të afatit të targave
Për ish-ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu, kjo çështje i takon vetëm Qeverisë së vendit, duke thënë se tashmë nuk i takon të merret tash me këtë.
“Ky është vendim i Qeverisë së Kosovës, tash ata duhet me u marrë me këtë çështje, unë nuk jam në ato rrjedha dhe nuk mund ta jap asnjë mendim”, ka thënë ai, për Front Online.
I, pyetur se a duhet të shtyhet ky vendimi pasi që është kërkesë e të huajve dhe se cilat do të jenë pasojat në rast të mos shtyrjes, Veliu ka pohuar se Qeveria duhet të llogarisë të mirat dhe të metat nga një kërkesë e tillë.
“Qeveria duhet t’i llogarisë të gjitha, të mirat dhe të metat e një kërkesë të tillë dhe sigurisht duhet ta marrë vendimin më të mirë për Kosovën, nëse ata mund ta gjejnë cili është vendimi më i mirë për Kosovën, përndryshe ai është vendim me të cilin ata duhet të merren. Unë besoj që do ta gjejnë ndonjë zgjidhje”, ka deklaruar Veliu, për Front Online.
Por, se a mund të ketë tensione pas kësaj date.
Ibishi: Moszgjidhja e situatës së targave mund të sjellë përsëri tensione, kanë pasur afat të mjaftueshëm
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se pas datës 31 tetor nëse nuk ka ndonjë zgjidhej mund të ketë përsëri tensione.
“Moszgjidhja e situatës mund të sjellë tensione, pasi realisht ekstremi serb është i lidhur direkt me Qeverinë e Serbisë. Ata i dirigjojnë, ata i diktojnë në kuptimin e asaj kur i ngrisin ato inskenimet siç e kemi parë me herët me bllokim të rrugëve, protesta me të gjitha ato”, është shprehur Ibishi, për Front Online.
Ai, kërkon që edhe nëse vjen deri e shtyrja e afatit, ky i fundit të jetë në kohë më të shkurtë sesa që po kërkohet.
“Mendoj, nëse eventualisht vije deri të rishikimi i mundësisë së zgjatjes ai duhet të kufizohet në kohë më të shkurtë dhe me mundësinë që të bëhet zgjidhja jo vetëm të shkohet nga rasti në rast, sepse kjo po ngjan si në kohën e UNMIK-ut. Ne e kemi marrëveshjen e nënshkruar mes dy palëve, dhe nëse eventualisht do të vie deri në një shtyrje të jetë për një afat sa më të shkurtë e jo ashtu siç po kërkohet”, ka thënë ndër të tjera Ibishi.
Ibishi, thotë se afati prej dy muajve ka qenë i mjaftueshëm, por se nuk është shfrytëzuar siç duhet për shkak se serbët kanë qenë nën ndikim të Beogradit dhe e kanë injoruar një gjë të tillë.
Që ka pasur afat të mjaftueshëm prej dy muajsh dje ka deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat e i shfrytëzojnë ato të kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet, për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se që nga fillimi i këtij procesi i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës, që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrim.
Serbet e Kosovës deri më tani kanë treguar pak interesim për ndërrimin e tyre.
Deri më tani numri i atyre që i kanë konvertuar targat është më pak se 20./Front Online












