Nesër, 3 nëntor, në Berlin do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.
Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por që agjenda e tij ende nuk dihet.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu dje për Gazeta Blic ka thënë se agjenda do të publikohet me kohë.
Në anën tjetër, në samit i pranishëm do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lidhur me këtë proces dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga ai, për Gazeta Blicka folur analisti politik Ilir Ibrahimi.
Ai e quan lajm të mirë ngjalljen e Procesit të Berlinit, i cili ka qenë pasiv për disa vite, ku në këtë mënyrë ai e ka nxitur nismën rajonale Open Ballkan.
“Procesi i Berlinit për disa vjet ka qenë pothuajse totalisht pasiv, dhe është lajm i mirë që ka interes për ta ngjallur atë proces. Ky pasivitet ka nxitur nisma rajonale si ajo e Open Ballkan e cila është komplementare me procesin e Berlinit por që për inate personale, është veshur me një petk si diçka që është në kundërshtim me atë proces”, thotë ai.
Ibrahimi vlerëson se Kosova është përfituesi më i madh i nismave rajonale dhe se ajo duhet të jetë insistuese në to dhe të mos ngurrojë e t’i sheh këto nisma me paranoja dhe frikë.
“Kosova si vendi më i izoluar në rajon është përfituesi më i madh i nismave dhe marrëveshjeve rajonale, prandaj duhet të jetë edhe me insistuese dhe më pro-aktive në kësi lloj nismash. Integrimi i rajonit duhet të jetë prioritet i ynë dhe të mos ngurrojmë dhe t’i shohim këto lloj nismash me paranoja dhe me frikë”, deklaron analisti Ilir Ibrahimi.













