Zyra e Presidencës ka lëshuar një deklaratë për media, lidhur me rastin e dhunës që është ushtruar ndaj një të moshuare nga një infermiere në Peje në një shtëpi të pleqve.
Përmes, kësaj deklarate nga presidenca kanë thënë se t`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë.
“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Reagimi i plotë:
Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë.
Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit.
E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme.
Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme.











