Kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale e kanë cilësuar të “papranueshme për të gjithë” vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të anashkaluar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Presidentja Osmani i është nënshtruar të mërkurën në mbrëmje një operacioni në idhëz në spitalin privat “Aloka”.
Sipas kirurgëve të QKUK-së, vendimi i Osmanit për t’u mos u trajtuar në spitalet publike paraqet “injorim dhe nënçmim” për institucionin publik.
“Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës ka marrë trajtim shëndetësor jashtë ShSKUK-së”, thuhet në reagim.
“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë Kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheqë, është e papranueshme për të gjithë”, përfundon reagimi i kirurgëve.
Presidentja Osmani vazhdon të jetë e shtrirë edhe sot në spitalin privat “Aloka” pas intervenimit kirurgjik që e pati të mërkurën mbrëma në këtë spital.












