
Polici i suspenduar nga Policia e Kosovës, Nenad Gjuriq, është punësuar në policinë e Serbisë.
Këtë e konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se 3500 personat që kanë dhënë dorëheqje “nuk do të jenë në rrugë”.
“Ata kanë një të ardhme të shkëlqyer, do të punojnë në organet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe sigurisht që nuk do të kenë të ardhura më të ulëta, përkundrazi. Ai do të bëjë punën e tij për vendin dhe popullin e tij. Ata të dy janë të rinj. Ka ende shumë punë dhe shumë e shumë detyra të mira dhe të rëndësishme para tyre”, tha ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot i ka dekoruar policët e suspenduar nga Policia e Kosovës, Nenad Gjuriq dhe Aleksandar Filipoviq.
Gjuriqit iu dha “Urdhri i Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Klasit të Parë”, ndërsa Filipoviqit iu nda medalja e artë për guxim “Milosh Obiliq”.
“Ju iu bindët vendit tuaj, edhe kur nuk jeni pajtuar me vendimet e tij, keni bërë atë që ju ka dashur zemra dhe jeni sjellë me nder, kur ju penguan të kryeni detyrën”, tha Vuçiq.











