Jo rrallëherë prindërit përfshihen në përleshje qoftë në shkolla, lagje, apo hapësira tjera publike për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve të tyre. Raste të tilla shpesh iu kushtojnë atyre edhe me arrestim e ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kraishtë të Lipjanit, ku një person dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një person tjetër, pasi fëmijët e tyre ishin ngacmuar mes vete.
Sinjali mëson se babai i njërit prej të miturve ka vendosur që t’i qërojë hesapet vetë me prindin tjetër, duke e kanosur atë përmes telefonit se do e presë me sëpatë.
Përballë kësaj situate dhe për shkak shqetësimit e frikësimit që ia shkaktuan kërcënimet e marra, 35-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.













