
Rastet kur persona të ndryshëm kërkojnë ndihmë në spital për shkak të lëndimeve që pësojnë në vendet e tyre të punës nuk janë të rralla. Ato shpesh herë ndodhin si pasojë e kushteve të këqija që ofrojnë kompanitë, por me raste janë edhe aksidentale.
Ndihmë në spital ka kërkuar sot edhe një punëtor i fabrikës së tullave në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se 52-vjeçari është dërguar atje me lëndime të rënda, ku si pasojë e rrëzimit ka pësuar frakturë në krahë. Lëndime po ashtu ka pasur edhe në kokë, por pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë vesh se viktima është rrëzuar aksidentalisht gjatë kohës që po bënte disa riparime në çatinë e fabrikës.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim aksidental’.












