Kuvendi i Kosovës ka hedhur në votim mocionin procedural të propozuar nga LDK-ja, ku kërkohet nga kryeministri Albin Kurti të raportojë në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi, pas takimit të nivelit të lartë që ai e kishte zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.
Kryekuvendari Glauk Konjufca tregoi se në seancë janë prezentë 92 deputetë.
Sipas mocionit, kryeministri Kurti duhet të vijë në kuvend të raportojë para deputetëve duke filluar prej orës 13:00.
“Vetëm tri abstenime. Shumica ishin për. Mbi 80 deputetë ishin për. Kështu që miratohet mocioni që debati me kryeministrin të fillojë në ora 13:00”, tha Konjufca.
Paraprakisht, kështu tregoi edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se kryeministri Kurti është i gatshëm të jetë në seancë dhe të debatojë.
“Disponueshmëria e tij kohore është prej është prej orës 13:00 deri në ora 16:00, ku mund të diskutojmë për këtë çështje. Kërkesë e jona ka qenë që të vazhdohet me pikat e tjera të seancë të ketë mbarëvajtje të kuvendit”, tha ajo.











