U prezantua si njëri nga projektet më të rëndësishme të mandatit qeverisës nga ana e ish kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Bëhet fjalë për projektin e vitit 2020 të ndërtimit të një fabrike për përpunimin dhe paketimin e peshkut në fshatin Gracë të Vushtrrisë.
Ky projekt i kompanisë “Emona Group” bashkë me investitorët kroatë “Conex” parashihej të realizohej në pronën komunale të dhënë ne shfrytëzim nga ish kryetari Xhafer Tahiri, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Mbi 5 hektarë (53693 metra2) tokë komunale i ishte dhënë në shfrytëzim “Emona Group” për ndërtimin e fabrikës që s’u bë deri më tani, por kjo fabrikë nuk u ndërtua deri më tash, përveçse u përvetësua shfrytëzimi i tokës komunale të.
Pronar i kompanisë “Emona Group” është Shaip Mikullovci, për të cilin në një kërkim në ARBK mësohet se posedon një kapital prej 2.5 milionë euro.
Bazuar në këtë fakt Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka krijuar komision verifikues për procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës komunale.
Ky komision ka nxjerrë vendim të cilin e ka siguruar Veriu.info, që ish kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, të prezantojë para komisionit çdo akt, fakt apo informatë në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, inçizime vizuale apo autovizuale, fotografi, vizatime, video, film, raport, akt, tabelë, projekte, drafte ose shtesa tjera, të cilat prodhohen.
Sipas komisionit, këto dokumentacione janë të rëndësishme për të nxjerrë një vendim meritor duke mbrojtur interesat e organit publik, qytetarëve të Vushtrrisë, dhe palës kontraktuese.
Komisioni ka vlerësuar se këto dokumentacione janë në pronësi të komunës dhe dorëzimi i tyre është i domosdoshëm, në të kundërtën kemi të bëjmë me largimin e paautorizuar të dokumentave zyrtare apo zhdukjen e tyre dhe në rast të mos dorëzimit do të merren masa në përputhje me ligjin për përmbarimin e dhunshëm, për të cilin është lëshuar ky vendim i detyrueshëm.
Sipas deklarimit të atêhershëm të kryetarit Xhafer Tahiri ky projekt do të punësonte fillimisht 208 gra në fazën fillestare e më vonë me kompletimin e projektit rreth 500 të punësuar.
Por fatkeqësisht kjo fabrikë nuk u ndërtua kurrë kurse “Emona Group” vazhdon ta shfrytëzojë pronën për qëllime tjera.