
Marrëveshje u arrit por nënshkrim nuk pati. Ky ishte rezultati i takimit të 18 marsit në Ohër ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së e SHBA-ve.
Kryeministri kosovar, Albin Kurti ishte i gatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen edhe atë ditë, sikurse me 27 shkurt në takimin në Bruksel.
Kundër nënshkrimit në të dyja takimet ishte pala serb, presidenti Aleksandër Vuçiq.Megjithatë, marrëveshja po shihet nga ndërkombëtarët si e mirë për të dyja vendet dhe rrugën e tyre drejt familjes evropiane.
SHBA-të e BE-ja kanë thënë se tani ka rëndësi zbatimi i saj dhe se do ta përcjellin atë.
Ndërsa, derisa nuk ka nënshkrim, kryeministri Kurti ka kërkuar që BE-ja të gjejë mekanizma ligjërisht të obligueshëm që Serbia ta zbatojë marrëveshjen.
Në këtë marrëveshje apo planin evropian parashihet që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Kosova e Serbia në dialog, përfshirë Asociacionin.
E, për këtë të fundit, SHBA ka thënë se Kurti duhet të bashkëpunojë me ta për ta implementuar.
Lidhur me marrëveshjen, Nol Nushi nga PSD, thotë për Gazeta Blic se ajo është degradim i Kosovës dhe obligimi i vetëm është formimi i Asociacionit.
“Marrëveshja është degradim i pozicionit të Kosovës. Obligimi i vetëm që del nga kjo marrëveshje është formimi i Asociacionit. Kjo do të fillojë me urgjencë”, thekson ai.
Sipas Nushit, derisa plani franko-gjerman kishte dhe pika tjera, marrëveshja e Ohrit ka fokusin vetëm te themelimi i Asociacionit, të cilin Kurti e mori si obligim ta formojë brenda 30 ditësh.
“Ndonëse plani franko-gjerman parashihte pika të ndryshme, marrëveshja e Ohrit përqendrohet vetëm në themelimin e Asociacionit, të cilin z. Kurti e mori për obligim që ta fillojë punën brenda 30 ditëve. Nuk ka asnjë garanci për njohje të reja e as pranim në institucione ndërkombëtare”, vlerëson ai.
Ndërsa, sa i përket nenit 7 të këtij plani, që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve, Nushi thotë se nuk ka njohje të ndërsjellë por Kurti është pajtuar që vetëmenaxhimi i pakicës serbe të jetë i përqendruar në marrëveshjet e mëhershme të dialogut, pra edhe asociacionin.
“Është e qartë që tashmë njohja e ndërsjellë nuk ekziston, por në qendër është sjellë formimi i asociacionit. Në këtë marrëveshje Kurti është pajtuar që vetëmenaxhimi i pakicës serbe të jetë i përqendruar në marrëveshjet e mëhershme të dialogut, ku përfshihet edhe asociacioni. Kurti u zotua që do ta formojë asociacionin, pa asnjë përfitim”, deklaron Nol Nushi për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti politik Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se neni 7 ka të bëjë me zotimin për zbatimin e asociacionit dhe jo vetëmenaxhim siç thuhet në të.
“Neni 7 ka të bëjë me zotimin për zbatim të detyrimit ndërkombëtar të Marrëveshjes së parë (2013) për normalizim, e që emri kushtetues për këtë nuk është vetëmenaxhim por Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, thotë Matoshi.
Ndryshe, thirrje për nisjen e menjëhershme të zbatimit të kësaj marrëveshje ka ardhur edhe nga Gabriel Escobar dhe se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së është e kushtëzuar nga zbatimi i saj.












