Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka njoftuar se sot rreth orës 07:30 në Klinikën Infektive të SHSKUK’së, ka ndërruar jetë i burgosuri A.S, i lindur më 1975.
Me anë të një njoftimi për media, SHKK, ka thënë se në pranim në spital është konstatuar se vuan nga sëmundje e rëndë dhe e pakthyeshme e mëlçisë, me çrregullime të mëdha të organeve tjera dhe me amputim të këmbës së majtë.
“Tërë kohën është mbajtur në Stacionarin e Burgut dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, e së fundmi edhe në Kliniken Infektive ku edhe ka ndërruar jetë. Si rast i rëndë shëndetësor, ka qenë i vaksinuar me dy doza të Vaksinës anti COVID-19. Për këtë rast është bërë edhe kërkesa për pezullim të dënimit dhe ka qene ne procedure”, thuhet në njoftim.
A.S po mbante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe ishte i dënuar për veprën penale, vjedhje e rëndë.
Në njoftim bëhet e ditur se organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.












