Vjosa Osmani më 4 prill 2023 ka mbushur dy vite si presidente e Republikës së Kosovës. Rrugëtimi i Vjosa Osmanit nga kabineti i Fatmir Sejdiut e deri në zgjedhjen e saj si presidente të Republikës së Kosovës karakterizohet me zhvillime nga më të ndryshmet. Gjatë kohës sa ka shërbyer si deputete e LDK-së ajo ishte e njohur për ligjërimin e saj anti-PDK dhe kundër Hashim Thaçit.
Përveç përplasjeve më kundërshtarë jashtë partisë, ecjen e Osmanit në politikë e kanë karakterizuar edhe bërrylat brenda LDK-së. Me ish-kryetarin e LDK-së Isa Mustafa ka pasur disa përplasje, megjithatë kanë pasur edhe momente të mira e përqafime kur ishin marrë vesh që Osmani të kandidate për kryeministre e Isa Mustafa të vazhdojë qëndrimin në karrigen e LDK-së.
Megjithatë humbja e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre kishte trazuar ujërat brenda partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova. Ajo kishte filluar përplasjet me gardën e vjetër të LDK-së, meqë ata e shihni të pamundur bashkëjetesën në Qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje.
Osmani që kishte bërë shumë përpjekje për arritjen e atij koalicioni me partinë e Albin Kurtit insistonte që bashkëqeverisja të vazhdojë.
Megjithatë divorci LDK-VV në Qeverisje në vitin 2020 kishte nxitur çarjen e madhe të saj me partinë. Nga ai moment, Osmani kishte filluar të fliste si Vetëvendosje, derisa Avdullah Hoti drejtonte Qeverinë e Kosovës pas rrëzimit të Kurtit si kryeministër me arsyetimin se “LDK s’mund të bashkëqeverisë me një parti anti-amerikane”.
E gjithë skena politike u përmbys në momentin kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se vota e deputetit të dënuar Etem Arifit për Qeverinë Hoti ka qenë jolegjitime.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe pas arrestimit të Hashim Thaçit nga Prokuroria e Hagës, Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme nga ku Albin Kurti u rikthye si kryeministër i vendit dhe Vjosa Osmani si rezultat i koalicionit të GUXO me Vetëvendosje dhe falë ndihmës së LDK-së u ngjit në karrigen e presidentes. Që nga 4 prilli 2021, Osmani drejton institucionin më të lartë të shtetit dhe është komandante Supreme e Ushtrisë së Kosovës.
Megjithatë Osmani në këtë rrugëtim dy vjeçar si presidente nuk është e vetme. Atë e ndihmojnë një ekip me mbi dhjetë zyrtarë, të kryesuar nga shefi i stafit, Blerim Vela. Learta Hollaj në kabinetin e Osmanit shërben si zv.shefe e stafit, ndërkohë që Këshilltare Kryesore për Komunikim është Donjeta Miftari.
Ish-gazetari Bekim Kupina mban pozitën e këshilltarit dhe zëdhënësit të Presidentes Vjosa Osmani.
Në listën e këshilltarëve janë edhe Egnesa Vitia, Rejhan Vuniqi, Vehbi Miftari, Rinor Nuhiu e Yll Sadiku.
Gjithashtu kësaj liste i shtohet edhe e sapo emëruara, ish-deputetja e AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi.
Në zyrën e Osmani punojnë edhe dy zyrtarë të tjerë në kuadër të stafit mbështetës. Ridvan Haliti punon si Zyrtar i Lartë Ekzekutiv dhe Vesa Bujupaj si Zyrtare e Lartë Ekzekutive.
Sipas Ligjit të ri për Paga, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani koeficientin e ka 18.Ndërkohë koeficientet për zyrtarët e tjerë që punojnë në Presidencë, variojnë nga 3.4 deri në 12.4. Për vitin 2023, vlera e një koeficienti do të jetë 105 euro.












