
Pasi veteranët e luftës nuk janë përfshirë nga Qeveria në ligjin për pagën minimale, nesër do të mbahet protestë gjithëpopullore e thirrur nga OVL-UÇK. Pjesë e kësaj proteste padyshim se do të jenë edhe shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
GazetaBlic ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala i cili tha se do të merr apo jo pjesë në protestë, varet nga situata që do të krijohen nesër në Kuvend edhe pse, Ligji për Pagë Minimale që nxiti protestën e veteranëve nuk është në rend dite.
Krahas kësaj, Shala thotë se PDK-ja është me veteranët dhe e kupton çdo padrejtësi ndaj tyre.
“Nesër në Kuvend do të shohim se çfarë veprime do të merren dhe cila do të jetë situata.Ne jemi me veteranët dhe për veteranët. Unë jam pjesë e asaj shoqate që e ndjej dhe e përjetoj çdo veprim, dhimbje dhe padrejtësi ndaj tyre”, tha Shala.
Në anën tjetër, Shala e sheh këtë protestë të veteranëve si vërejtje serioze ndaj Qeverisë Kurti.
“Është protestë legjitime, protestë e drejtë dhe vërejtje serioze për Qeverinë që të kthehet dhe të respektoj vlerat të cilat janë ia kanë krijuar këtë ushtri këtij shteti, dhe kësaj qeverie”, tha Shala.
Kujtojmë se, subjektet politike ku përfshihen PDK-ja, AAK-ja, PSD-ja, Nisma e LB-ja i kanë dhënë mbështetje të plotë protestës së veteranëve.
Ndërsa, GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) por të njejtit nuk kanë qenë të çasshëm.












