Një grua e moshës 35 –vjeç u vra dje bashkë me fëmijën që po priste ta lindte nga ish-bashkëshorti i saj.
Sokol Halili, i cili dyshohet që kreu vrasjen makabre gjendet ende në arrati.
Atë është duke e kërkuar Policia e Kosovës, derisa e njëjta ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, shkruan Front Online.
Për rastin i cili tronditi mbarë vendin, për Front Online ka folur edhe deputeti i Vetëvendosjes, njëherit anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmir Humolli.
Humolli ka hedhur akuza ndaj qeverive të kaluara por edhe ndaj qeverisë Kurti, duke thënë se nuk po kanë program për ta zhvilluar vendin në mënyrë që mos të ndodhin raste të tilla.
“Përgjegjësia e institucioneve është se ende po sillet me inercion, e jo me politika të studiuara. Fatkeqësia është që nuk ka program, as Qeveria aktuale, as qeveritë e kaluara nuk kanë pas program për zhvillim të vendit”, ka thënë Humolli, për Front Online.
I pyetur se a duhet dikush të jep dorëheqje, Humolli pa dashur të përmend emra, ka thënë se është e kotë nëse tërhiqet një ministër e vjen një tjetër që nuk ka program se si me iu qas problemeve aktuale.
“Për dorëheqje po them tash kjo është çështje më shumë edhe politike edhe emocionale, pro nëse nuk vlerësohet është e kot të dorëhiqet një ministër sepse vjen një ministër tjetër, do të thotë këtu nuk është më problemi a është një ministër aktual, a është një ministër tjetër në vend të tij. Por, nëse ministri jep dorëheqje ai duhet më dhënë një arsye pse po jep dorëheqje, për pazotësinë e tij, pafuqinë e tij. Por është e kotë nëse hiqet një ministër e vjen një ministër tjetër që nuk ka program si me iu qas problemeve aktuale”, është shprehur ai.
E, deri sa thotë se qeveritë nuk kanë program për të parandaluar probleme të tilla, e përmend edhe qeverinë Kurti, por se thotë problemi nuk qëndron vetëm te kjo e fundit.
“Nuk është problemi vetëm te Qeveria Kurti, sepse është problem prej pas luftës, sepse zhvillimin e shoqërisë sonë ua kanë lënë shpesh herë formacioneve që kanë qenë të financuara nga jashtë”, ka shtuar Humolli.
Obduksioni ndaj 35-vjeçares Hamide Magashi është bërë sot.
Ndërsa, varrimi i saj do të bëhet nesër./Front Online












