Situata me COVID-19 po vazhdon të jetë aktuale në vend, edhe pas paraqitjes së variantit Delta, e së fundmi edhe atij Omicron.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që secili qytetar që dëshiron të hyjë në Kosovë, duhet të jetë i pajisur me certifikatën e vaksinimit të plotë, vendim ky i cili ka hyrë në fuqi nga dje
Sipas këtij vendimi, personat të cilët nuk janë të vaksinuar iu jepet mundësia të marrin vaksinën aeroportin “Adem Jashari” ose në ndonjë nga pikat kufitare.
“Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Në vendim po ashtu theksohen edhe mundësitë për personat të cilët nuk janë të vaksinuar, por që lirohen nga kërkesa e dëshmisë së vaksinimit.
“Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit; Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare; Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”, thuhet në vendim, përcjell Reporteri.net.
Tani në Kosovë, qytetarët mund të marrin edhe dozën e tretë përforcuese anti-COVID.
Më 27 dhjetor, MSH-ja njoftoi se të gjithë qytetarët që kanë marrë dy dozat e vaksinës para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese.
“Shkurtimi i kohës për marrjen e dozës përforcuese është bërë duke u bazuar në hulumtimet e shteteve të ndryshme rreth vaksinimit kundër COVID-19, përkatësisht dozës përforcuese, situatës epidemiologjike në vend dhe rajon, pranisë edhe të variantit Omicorn të SARS COV-2 si dhe nevojës për vaksinim të plotë të popullatës”, tha MSH-ja.












