Disa ditë pas skandalit të zbuluar nga Prokuroria e Posaçme, se shefja e SHISH Vjosa Hyseni është përfshirë në nxjerrjen e sekreteve shtetërore, në favor të biznesmenit Ergys Agasi, presidenti i vendit Bajram Begaj duket se ka ndërmarrë hapat e parë, për të zbuluar nëse çështja ka cënuar sigurinë kombëtare.
Gjatë kësaj të enjteje, Begaj ka thirrur në takim ministrin e brendshëm Ervin Demo, kreun e Policisë Skënder Hita, si dhe kreun e komanduar të SHISH Elvis Lila. Begajt i është kërkuar vazhdimisht nga ana e opozitës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, por deri tani një hap i tillë nuk është ndërmarrë nga ana e kreut të shtetit.
Arrestimi i Vlora Hysenit është një nga skandalet më të mëdha që ka goditur vendin në muajt e fundit, pasi drejtoresha që do të duhej që të siguronte të dhënat e shqiptarëve, dhe informacione mjaft konfidenciale, dyshohet se ka shfytëzuar postin që mbante në interes të Ergys Agasit, i vënë në pranga rreth një muaj më parë me urdhër të SPAK.
Hyseni do të njihet sot me masën e sigurisë, ndërsa u dorëzua dy ditë më parë në doganën e Morinit.
Biznesmeni i arrestuar Ergys Agasi dhe ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, rezultojnë të kenë pasur komunikim periodik dhe të shpeshtë, sipas të dhënave të përfshira në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas dosjes, komunikimet mes tyre kanë qenë të përditshme dhe të shtrira në kohë. Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, është nën hetim dhe akuzohet për dy vepra penale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndaj saj rëndojnë akuzat për zbulim të sekretit hetimor dhe mbështetje të autorit të krimit.
Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. /SHEKULLI













