Një raport financiar zyrtar në ShBA tregon se biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli tentoi t’i kalonte aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës një fondi investues, “Compartment Bernina”, i cili është pjesë e fondit ndërkombëtar “GMO Emerging Country Debt Fund” që menaxhon edhe borxhet e Rusisë.

Kjo skemë e dyshimtë, e cila u zbulua pas përplasjes mes Pacollit dhe ortakut të tij Valon Ademi, ka ngritur dyshime për përfshirjen e interesave ruse në një aset strategjik të shtetit shqiptar.

Skema e Pacollit u bazua në një marrëveshje kredie 100 milionë euro me norma interesi 7.6%, ku nëse kredia nuk do të shlyhej, kontrolli i Aeroportit do t’i kalonte fondit Bernina. Gjykata shqiptare caktoi masë sigurie mbi aksionet, duke pamundësuar realizimin e kësaj marrëveshjeje.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Pacollit për “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Në dhjetor, Gjykata e Shkallës së Parë i hoqi Pacollit dhe kompanisë së tij Mabco të drejtën e vendimmarrjes në Aeroport, pas padisë së 2A Group të Valon Ademit, që pretendonte se ekzistonte rreziku real që Aeroporti të humbiste kontrollin shqiptar.
Dy biznesmenët kishin marrë Aeroportin me koncension katër vite më parë, por projekti ende nuk ka përfunduar për shkak të konfliktit ligjor. Dokumentet e SEC dhe raporti amerikan thellojnë dyshimet për lidhjet e Pacollit me interesat ruse dhe rrezikun që një aset strategjik shqiptar të kalonte nën kontroll të huaj.
Për këtë temë kishte raportuar në detaje VOX Kosova, muaj më parë, kur dyshohej se Pacolli kishte bërë pikërisht këtë kontratënt të dyshimtë, ku aksionet e tij dhe të partnerit të tij, në Aeroportin e Vlorës, pa dijeninë e partnerit ia kishte shitur kompanisë “Compartment Bernina” e cila përfundimisht siç tregon tashmë edhe raporti amerikan, ka lidhje ruse.















