Deputeti i VV’së, Agim Bahtiri, tha se oferta e Kurtit për opozitën është e sinqertë dhe njerëzore.
Ai shkroi se tashmë është në dorën e PDK dhe LDK nëse vendi shkon në zgjedhje ose jo.
“Të dashur kolegë deputet të partive opozitare. Çdoherë iu kam thënë por ju nuk më besonit. Levizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka dashur që t’i ketë tri postet e larta shtetërore, por mosdëshira juaj për të propozuar një kandidat të mundshëm e serioz për President, na detyroi që ashtu siç e kërkon ligji t’i kemi dy kandidatët tonë. Por kjo nuk kaloi. Tani, për ju është edhe një ofertë publike, shumë e sinqertë, e shumë njerëzore, e cila iu dedikohet juve. Në total i keni 3 oferta dhe 3 mundësi që të propozoni kandidatët e mundshëm për President të vendit. Sot është në dorën tuaj se a shkon vendi në zgjedhje apo jo”.
“Prandaj, apeloj tek ju, për hir të atyre që kanë dhënë jetën e tyre, gjakun e tyre për të pasur shtet dhe institucione të shtetit të Kosovës, ju kisha lut mos shkelni mbi gjakun e tyre. Dilni mbi interesat personale e partiake, dhe gjeni 3 kandidatë të mundshëm më të mirët që i ka Kosova. Përkrahjen tonë do ta keni 100%” Kjo është tani në dorën tuaj”.














