Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj një fushate ndaj tre gazetarëve Berat Buzhala, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi, të cilët sot janë bërë cak i fotomontazheve.
AGK e ka konsideruar të rrezikshme këtë fushatë ndaj tre gazetarëve, ku fotomontazhet paraqesin rrejshëm kinse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shpërndarë qëndrimet e Buzhalës.
Ndërsa gazetarëve Kabashi dhe Hamidi u janë vendosur sipër flamuj serbë me epitete ofenduese.
Reagimi i AGK-së:
Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve
Berat Buzhala, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi, janë bërë cak i foto-montazheve, të cilat po shpërndahen në rrjete sociale këtë pasditë.
Foto-montazha e Buzhalës është krijuar në atë formë që të duket gjoja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ripostuar një cicërimë të Buzhalës, duke thënë se është njëri nga gazetarët më të mirë kosovar. Ndërsa, Kabashit dhe Hamidit, u janë vendosur flamuj të Serbisë në ballë me mbishkrimet: “Zagarët e Vuciqit”, si dhe “Bravo vëlla” (duke aluduar se kështu po iu drejtohet presidenti Serb dy gazetarëve).
Një fushatë e tillë, është shumë e rrezikshme dhe vë në cak të sulmeve online si gazetarët, ashtu edhe familjet e tyre.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.
#AJK #AGK
—-
www.agk-ks.org