Një aheng familjar në fshatin Lukinje të Prizrenit është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e 19 shtatorit, çka ka aktivizuar Policinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 21:10, pasi ishte pranuar informata se gjatë ahengut po kishte të shtëna me armë.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në lokacion, ku ka hasur Shyqyri Bislimajn, 21-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri.
Në afërsi të tij janë gjetur 11 gëzhoja, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i forenzikës dhe hetuesi kujdestar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, është sekuestruar një armë zjarri së bashku me 11 gëzhojat e gjetura në lokacion.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj 21-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













