Në “Përballje Podcast” Shpend Ahmeti kritikoi mënyrën si qeveria në detyrë po menaxhon buxhetin e shtetit, duke theksuar se mbi 800 milionë euro qëndrojnë të palëvizshme në Bankën Qendrore të Kosovës, në vend që të qarkullojnë në ekonomi përmes investimeve publike.
“Shteti i mban 800 milionë euro në Bankën Qendrore, ndërsa bizneset po vuajnë për likuiditet. Kjo është e kundërta e asaj që duhet të ndodhë. Paraja duhet të qarkullojë, jo të qëndrojë në llogari”, deklaroi Ahmeti.
Sipas tij, ky “bllokim i parasë publike” po ndikon në rritjen e normave të interesit dhe po e bën të vështirë marrjen e kredive për qytetarët dhe bizneset.
“Kur shteti i tërheq paratë nga tregu, bankat kanë më pak depozita dhe e kompensojnë me norma më të larta interesi. Kështu po shtrenjtohet gjithçka – nga kreditë e biznesit te kreditë konsumuese”, shpjegoi ai.
Ahmeti po ashtu foli për rritjen e normave të interesit në kredi, duke theksuar se kërkesa për huamarrje është e madhe, por mungesa e parasë në qarkullim po i shtyn bankat të rrisin kostot.
“Normat e interesit janë rritë ndjeshëm. Kemi kredi investive me 7 apo 7.5 për qind interes. Kjo tregon se ka kërkesë për kredi, por s’ka likuiditet. Bankat po i shtrenjtojnë, sepse nuk kanë depozita të mjaftueshme”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është mungesa e qarkullimit të parasë nga shteti në sektorin privat.
“Qeveria po i shpërndan ndonjëherë 100 euro për studentë apo kategori të caktuara, por këto para shkojnë direkt në konsum, kryesisht në import. Nuk kanë efekt zhvillimor në ekonomi”, tha ai.
Sipas tij Kosova mund të ruajë stabilitetin financiar, por pa vizion të qartë për zhvillim, vendi rrezikon të mbetet në vendnumëro.
“Problemi nuk është vetëm ligjor apo buxhetor, por qasja. Ne po e mbajmë ekonominë në frymë artificiale. Nuk ka investime, nuk ka qarkullim, dhe kjo e bën sistemin të ngadalshëm – si një zemër që nuk pompon mjaftueshëm për trupin”, përfundoi Ahmeti.