Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shprehet kundër qasjes politike që anashkalojnë partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se Kosova është ndërtuar, mbështetur dhe forcuar falë miqësisë dhe përkrahjes së vazhdueshme amerikane, duke shtuar se çdo vendim madhor politik, ekonomik dhe strategjik duhet të ndërtohet në koordinim të ngushtë me aleatin tonë më të rëndësishëm – SHBA-në.
Sipas tij, Kosova mbetet ndër popujt më pro-amerikanë në Evropë dhe ky orientim nuk është vetëm historik dhe emocional, por edhe ekonomik, zhvillimor dhe strategjik.
Postimi i plotë:
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shprehet kundër qasjes politike që anashkalojnë partneritetin strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova është ndërtuar, mbështetur dhe forcuar falë miqësisë dhe përkrahjes së vazhdueshme amerikane. Prandaj, çdo vendim madhor politik, ekonomik dhe strategjik duhet të ndërtohet në koordinim të ngushtë me aleatin tonë më të rëndësishëm – SHBA-në.
AKB vlerëson se asnjë qeveri e ardhshme nuk duhet të formohet duke injoruar interesat strategjike të shtetit të Kosovës dhe partneritetin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në veçanti, kundërshtimi i projekteve që lidhen me investimet amerikane dhe sigurinë energjetike, përfshirë projektet e gazit amerikan, nuk i shërben zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
Kosova mbetet ndër popujt më pro-amerikanë në Evropë dhe ky orientim nuk është vetëm historik dhe emocional, por edhe ekonomik, zhvillimor dhe strategjik.
Ne besojmë se çdo veprim që cenon ose dobëson partneritetin me SHBA-në dëmton interesat afatgjata të Kosovës, pengon tërheqjen e investimeve të huaja dhe ngadalëson proceset integruese euroatlantike.
AKB u bën thirrje të gjitha partive politike që interesin shtetëror ta vendosin mbi interesat partiake dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët strategjikë, në veçanti me SHBA-në, si garanci për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Agim Shahini, Kryetar i AKB-së, theksoi se kundërshtimi i projekteve amerikane, përfshirë projektin e gazit amerikan, është kundërshtim i zhvillimit të Kosovës. Investimet amerikane, partneriteti strategjik me SHBA-në, projekti i gazit amerikan dhe mbështetja e saj për sigurinë energjetike janë jetike për të ardhmen ekonomike dhe euroatlantike të vendit tonë.”












