Funksionimi i qendrave të masazheve në Kosovë është kthyer në sfidë për institucionet shtetërore, të cilat po kanë vështirësi në mbajtjen në kontroll të tyre. Në fund të muajit mars Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka realizuar një aksion inspektues, ku ka mbyllur 3 qendra të masazhit dhe ka gjobitur 5 sosh.
Në aksionin e IQT janë mbyllur qendrat e masazhit: “Love Massage” në Prishtinë, “Lena Massage” në Prizren dhe “Gold Massage” në Gjakovë.
“Love Massage” është mbyllur me arsyetimin se nuk i plotëson kushtet minimale teknik, me ç’rast është gjobitur me 1 mijë euro.
Nën arsyetimin e njëjtë, pra për mungesë pëlqimi për plotësimin e kushteve minimale teknike është mbyllur edhe “Lena Massage”, të cilës po ashtu i është shqiptuar gjobë në shumë prej 1 mijë euro.
Ndërsa, qendra e masazhit “Gold Massage” në Gjakovë është mbyllur për mos respektim të orarit, për të cilën shkelje është gjobitur me 500 euro.
Veriu.info përveç vendimeve të ndalimit të përkohshëm të veprimtarisë për qendrat e lartëcekura, ka siguruar edhe vendimet për shqiptimin e gjobave për 2 qendra të tjera masazhi.
“Time Out Massage” në Fushë Kosovë është gjobitur me 1 mijë euro, pasi që nuk ka vendosur çmimet e shitjes për shërbimet e ofruara për klientët.
“Për shkak se nuk ka vendos qartë, dukshëm dhe lexueshëm çmimin e shitjes për njësi të mallrave dhe shërbimeve të ofruara në lokal për konsumatorë”, thuhet në pikën II të vendimit për gjobitjen e “Time Out Massage”.
Edhe “Darling Massage” është gjobitur për arsye të ngjashme sikurse “Time Out Massage”.
“Operatori ekonomik, në cilësinë e tregtarit që ofron shërbime, nuk ka siguruar ekspozimin e listës së çmimeve në hapësirën afariste, në mënyrë që të jetë lehtësisht e qasshme për konsumatorët. Gjithashtu, çmimet nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë, të dukshme dhe të lexueshme, si dhe mungon informacioni lidhur me llojin dhe shtrirjen e shërbimeve të ofruara”, thuhet në vendimin për “Darling Massage”.
(P.S.: Duke pasur parasysh natyrën e punës së qendrave të masazhit në Kosovë, terminologjia e përdorur në vendime nga IQMT për shitje të shërbimeve dhe shtrirje të shërbimeve, ka ngjallur konfuzion më rastin e përgatitjes së artikullit!)


















