Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur të mërkurën aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër zëdhënësit të Lëvizjes së Vetëvendosjes Arlind Manxhuka, asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi si dhe personave me iniciale Q.E. dhe E.Z.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria Speciale.
“Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas Prokurorisë, aktakuza kundër Manxhukës e Azemit është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.
Manxhuka dhe Azemi, kishin kritikuar Gjykatën për lirimin e Dejan Pantiç.
Më 28 dhjetor të 2022, zëdhënësi për media në Lëvizje Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar për ndërrimin e masës së paraburgimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiç në arrest shtëpiak duke thënë se “ky aktlirim është akt tradhtie”.
Më 20 tetor, ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohej për sulme terroriste, në zyret e Komisionit Qendror të Zgedhjeve, ishte liruar edhe nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.











