Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka hedhur akuzë në drejtim të Qeverisë së Kosovës për ndërhyrje në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK).
Teksa po kritikonte ekzekutivin për menaxhimin e ekonomisë, Shala tha se në vitin 2021 keni proklamuar rritje ekonomike mbi 10 për qind e në vitin pasues rritja ekonomike ishte 3.5 për qind.
“Shikoni statistikat e entit të statistikave të Kosovës edhe pse në entin statistikor keni ndërhy në mënyrë flagrante dhe keni manipulu shifrat në entin statistikor”, ka akuzuar Shala.
“Tregona kur na keni mashtru në vitin 2021 apo 2022 për rritjen ekonomike”, vazhdon ai.
Shala po ashtu ka folur edhe për KEK’u ku tha se kapacitetet prodhuese janë ulur që kur Qeveria Kurti është në pushtet.
“Nuk ma thotë as një fjalë kur dhe si do të fillojë implementimi për energjinë, nuk na thatë asnjë fjalë për inflacionin. Nuk na thotë as një fjalë për ngritjen e çmimit të faturës së energjisë niher 100 për qind e njëherë tjetër 15 për qind”, ka thënë Shala.













