
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se me shqetësim të jashtëzakonshëm po i pranon lajmet lidhur me mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit për kandidatët për drejtor të RTK-së.
Ajo teksa ka shpërndarë linkun e RTK-së, thotë se ka parë që njëri nga kandidatët ka marrë pikë të njëjta në të gjitha pyetjet nga tre anëtarë të ndryshëm të bordit.
Sipas saj, kjo kërkon analizë dhe hetim sepse është ‘koincidencë’ e pazakontë.
“Pa dashur ta paragjykoj asnjë kandidat dhe asnjë vlerësim, përshtypjet që i kam krijuar deri tani, fatkeqësisht nuk i reflektojnë pritshmëritë e mia profesionale nga ky proces”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.
Listën që tregon poentimin e plotë nga secili anëtar i komisionit vlerësues për secilin kandidat mund ta lexoni këtu.
Bordi i RTK-së kishte hapur konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas shkarkimit të Ngadhnjim Kastratit nga detyra.
Kandidatët që kanë marrë mbi 50% të pikëve të testit me shkrim dhe që janë ftuar për intervistë janë: Shkumbin Ahmetxhekaj që ka marrë 80.7% të pikëve nga testi me shkrim, Bekim Hasani 79.4%, Fadil Hoxha – 73.7%, Hysen Hundozi – 70.9%, Gjergj Filipaj – 69.3%, Arben Berisha – 65.8%, Fisnik Dërguti – 52.2% dhe Adriana Kutllovci – 50%.
Ndërkaq, kandidatët të cilët nuk e kaluan testin me shkrim janë: Valentina Saraçini (46.3%), Fahredin Shehu (46.2%) dhe Orhan Hajrizi (41.2%).











