
Pas shumë e shumë intervistave të dhëna për mediat e huaja, më në fund kryeministri i Kosovës, Albin Kurti realizoi një intervistë për një media shqiptare, e cila nuk kaloi pa u komentuar nga shumë analistë.
I ftuar në ‘Debat Plus’, Kurti u mirëprit me një video të tij nga kohë kur ishte në opozitë, që tregonte ndryshimin rrënjësor të tij, tani që është në pushtet.
Me shumë gjasë, kjo video do e ketë dekoncentuar Kurtin pasi intervista e tij, nga jashtë nuk u cilësua fare si e suksesshme madje u pa si shumë e “dobët”
Analisti Imer Mushkolaj e komentoi pjesën ku kryeministri Kurti tha se Marrëveshja e Ohrit premton të ardhme më të mirë, duke thënë se kryeministri e sheh ashtu për arsye se e ka nënshkruar vetë.
“Sa i përket marrëveshjes atë që kuptova prej kryeministrit është se sipas kuptimit tim po them se si e kuptova unë është se marrëveshja nga ana e tij “është e mirë se e kam nënshkruar unë. Por, po të isha më herët do ta kritikoja këtë marrëveshja që e kam nënshkruar,”- është shprehur Mushkolaj në ‘Debat Plus’, duke e cilësuar shumë interesante mënyrën se si Kurti e ka shpjeguar pranimin e marrëveshjes, pasi në të njejtën kohë tregonte se ishte i detyruar për pranimin e saj.
Më tej, edhe analisti Astrit Gashi nuk ka dalë i kënaqur, duke thënë se Kurti po mundohej të imitonte Ramën, dhe se nuk ka arritur t’i shihte pikat më me vlerë të marrëveshjes.
“Pika kur u shqetësua pak, ishte pika kur nuk kishte me çfarë krenohej. Me marrëveshjen edhe mund të krenohej në një pjesë sikur të dinte ta interpretonte rëndësinë që e ka kjo marrëveshje, dhe jo në pikat që nuk e kanë vlerën. Pikat që nuk e kanë vlerën janë të drejtat shtesë që ua jep serbëve të Kosovës, ndërsa pikat që ia japin vlerën janë paqja në Ballkan, e cila është e rëndësishme ndaj invasionit rus,”- është shprehur Gashi.
Ndërkohë, edhe analisti Visar Ymeri ka thënë se Kurti nuk shihet më si kryeministër i shpresës, pasi as ai vetë nuk e beson një gjë të tillë dhe se në intervistën e sontme, ai e kishte futur veten në regjistrin e politikanëve të tjerë.
“Kurti, sot, e futi veten në këtë regjistër të politikanëve [shumë kanë qenë ta korruptuar tash janë vetëm disa]. Kurti më nuk është kryeministri i shpresës, ky as veten s’e sheh më si kryeministër i shpresës. Kurti nuk tregoi fare për asnjë aspekt transformativ e vizionar për Kosovën, krejt çfarë tregoi ishte se po mundohet të qeverisë pak më mirë, diku po e arrin diku është koha e shkurtër e diku mbase është dorëzuar,” – ka thënë Ymeri, ndërsa ka shtuar se në raport me Serbinë, Kurti është dorëzuar.
Intervista e Kurtit është komentuar edhe nga analistë të tjerë në rrjete sociale, si Ilir Mirena, i cili ka thënë se kryeministri “nuk është mirë prej menve”
“O militanta, luanin se keni mire prej menve! Sa ma shpejt qe ta kuptoni do t’jete me mire. Jo per luanin, po per juve, se ai s’ka pshtim. Veç le t’shpresojme qe s’po na merr krejtve me veti. Edhe Kosoven…”- ka shkruar Mirena në Facebook.
“Po i dobët,”- ka shkruar gazetari dhe analisti Berat Buzhala.











