Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj një fushate të organizuar në rrjetet sociale, e cila, sipas tij, ka eskaluar deri në kërcënime të hapura me jetë ndaj Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.
Xhemaili ka thënë se dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë sistematikisht shpifje dhe informacione të pavërteta, të cilat Aleanca i ka demantuar zyrtarisht që në fillim.
Ai ka veçuar një profil me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”. Sipas Xhemailit, ky profil, gjatë dy ditëve të fundit, ka zhvilluar një fushatë propaganduese me thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.
“Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, ka deklaruar Xhemaili.
Xhemaili ka bërë të ditur se kane dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura.
“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Aleancës ka kritikuar edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat, sipas tij, po i japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit online.
Ai e ka cilësuar këtë si një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve për parandalimin e rastit tragjik në Pejë.
“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, ka përfunduar Xhemaili.

















