Kryeministri sllovak Robert Fico ka bërë të ditur përpara një takimi të liderëve evropianë në Paris se shumë vende të NATO-s dhe BE-së po mendojnë të vendosin trupa në Ukrainë në baza dypalëshe, shkruan The Telegraph.
Fico, i njohur për qëndrimin e tij pro-rus dhe rezistencën prej kohësh ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, tha: “Do të kufizohem të them se këto teza (në përgatitje për takimin e Parisit) nënkuptojnë se një numër i vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së po mendojnë se do të dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë në baza dypalëshe”.
“Nuk mund të them se për çfarë qëllimi dhe çfarë duhet të bëjnë atje,” shtoi ai.
Ndërsa konfirmoi vendimin e Sllovakisë kundër dërgimit të trupave në Ukrainë, Fico paralajmëroi rreth rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit.
Deklaratat e tij vijnë mes komenteve të mëparshme në janar, ku ai minimizoi ashpërsinë e situatës në Kiev, duke pohuar se “nuk kishte luftë” dhe duke e përshkruar jetën në kryeqytetin ukrainas si “absolutisht normale”.
Rreth 20 liderë evropianë, duke përfshirë zotin Fico, ishin u mblodhën në Pallatin Elysee të hënën. Franca tha se takimi kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi vendosmërie për Moskën ndërsa lufta hyn në vitin e saj të tretë.
Anëtarët e NATO-s kanë furnizuar Kievin me miliarda dollarë armë dhe municione dhe po trajnojnë forcat ukrainase. Por liderët e NATO-s, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, kanë nënvizuar se aleanca ushtarake perëndimore dëshiron të shmangë një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, i cili mund të çojë në një luftë globale.













