Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) e ka anuluar konkursin e Organit Shqyrtues te Prokurimit për pozitën ekspert shqyrtues, në të cilin u punësua Genc Dugolli, djali i deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli.
Këshilli, i cili është mekanizëm institucional që mbikëqyr rregullimin e shërbimit civil, ka konstatuar se konkursi në të cilin u punësuan dy persona në pozitën e ekspertit shqyrtues është i paligjshëm.
Përpos djalit të deputetit Dugolli, në këtë konkurs është punësuar edhe Valbona Iballi, asistentja ekzekutive e kryetarit aktual të OShP-së, Isa Hasanit.
Sipas një vendimi të publikuar këtë javë, KPMShCK e ka shpallur të bazuar ankesën e parashtruar nga një kandidat që apikoi në konkursin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Deputeti Enver Dugolli tha në tetor të këtij viti se nuk ka ndikuar në punësimin e djalit të tij në organin që njihet si “Gjykata e Tenderëve”.
Dugolli, në një deklarim për portalin Lajmi.net, tha se as nuk ka qenë në dijeni për aplikimin e djalit të tij në këtë konkurs pune në OShP.













