Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, vlerëson se shpërndarja e parave nga Republika e Kosovës për Luginë të Preshevës është bërë në mënyrë të pabarabartë dhe se ka pasur keqpërdorime.
Për këtë ai deklaroi se sot e ka dorëzuar edhe kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, duke theksuar se bëhet fjalë për 1.3 milionë euro, të cilat sipas tij, nën petkun e humanizmit ndaj Luginës është bërë hajni.
“Shpërndarja ë këtyre parave është bërë në një strukturë të ngushtë. Ai rrethi i njerëzve që kanë punuar me vite bashkë, e kanë bërë edhe implementimin e parave”.
“Unë pres që ai person që Kosovën e ka mbajtur në stres me vite, që e ka emrin Albin Kurti, i cili e ka cilësuar veten kundër hajnisë, si skifter, kundër korrupsionit, kundër, kundër, kundër… ai të nxjerrë konsekuencë në qeverinë e tij, t’ia kërkojë dorëheqjen këshilltarit të tij, ambasadorit të tij, aty ku e ka mundësinë ai të ndërhyjë. E nëse nuk ndërhyn, për mua edhe ai është pjesë e hajnisë, sepse heshtja para çdo hajnie është pjesëmarrje”, deklaroi Arifi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.













