Elvis Kelmendi, djali i bosit të dyshuar të drogës, Naser Kelmendit është arrestuar para dy ditësh në Sarajevë.
Pas kësaj, Gjykata Komunale e Sarajevës i ka caktuar atij masën e ndalimit të lëvizjes në territorin e komunës së Ilixhës, ka konfirmuar për portalin Klix.ba avokati i tij, Emir Gaziq, transmeton Paparaci.
Ai dyshohet se më 22 mars ka kryer veprën penale të Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në territorin e komunës Ilixha. Siç raporton Klix.ba, ai dyshohet për një plagosje me armë që ndodhi gjatë fundjavës në këtë komunë.
Pas tij qëndron një dosje e gjerë penale përfshirë, ndër të tjera, për trafikim të drogës.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës vitin e kaluar konfirmoi aktakuzën ndaj Kelmendit dhe Ajlin Ahmiq, të cilët akuzohen për trafikim të drogës.
Kelmendi më parë është akuzuar edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtim të pasurisë së të tjerëve, si dhe prokurim dhe shitje të paautorizuar të armëve.
Sipas detajeve të aktakuzës, Kelmendi dhe Ahmiq akuzohen se së bashku me M.V., A.F., R.G. dhe persona të tjerë të panjohur në territorin e BiH, Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, kryenin tregtim, shitje dhe transport të paligjshëm të drogës.
Theksohet se ata e shisnin drogën në BiH, ndërsa për komunikimin e tyre përdornin aplikacionin Sky, i destinuar për komunikim të sigurt dhe të koduar.
Kelmendi, nga viti 2021 është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, Kelmendi kërkohet nga autoritetet kosovare si i dyshuar për mashtrim, lëndim të rëndë trupor dhe falsifikim të dokumenteve.















