
Një inspektor i punës është arrestuar sot në Prishtinë nga policia e Kosovës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
I njëjti dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare pasi ka favorizuar pronarin e një kompanie ndërtimi, duke përpiluar raport zyrtar lidhur me një punëtor të lënduar në vendin e punës, kinse punëtori është rrëzuar në shtëpi.
“Dyshohet se personi i lartcekur ka dal në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në një vend punishte të një kompanie, në të cilën vend punishte ishte lënduar një punëtor i kësaj kompanie, duke marrë lëndime të rënda trupore dhe i njëjti (Inspektori i Punës A.H.) edhe pse ishte venë në dijeni edhe nga hetuesit policor se punëtori ishte lënduar në vendin e tij të punës, për çka kishte edhe dëshmi video-incizim dhe dëshmitar eventual, i dyshuari përkundër këtyre fakteve, përpilon “Raport Zyrtar” për Hetimin e Aksidentit, duke mos e paraqitur gjendjen faktike/reale në ketë raport, por ka potencuar se viktima ishte rrezuar në shtëpinë e tij, duke i bërë favor me këtë rast pronarit të kompanisë punë kryese.” – thuhet në raportin e Policisë.
I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.











