Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë të njëjtin qëndrim për veprimin e Serbisë për të njohur targat RKS.
Derisa një ditë më parë, partia në pushtet njohjen e targave e quajti sukses të Qeverisë, sot kryeministri Albin Kurti ka përmendur argument tjetër.
Në profilin e saj në “FacebooK”, VV-ja ka lavdëruar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se insistimi i qeverisë ka detyruar Serbinë t`i njoh targat e Kosovës.
“Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e VV-së.
Ndërsa sot, në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Kurti ka përmendur argumente tjetra.
“Targat në Kosovë, në shtator të 2021-s, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-SHBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”, ka thënë Kurti, duke treguar se si duhet të lexohet ky veprim i Serisë.
“Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit, mbi bazën e shkronjës dhe frymës së marrëveshjes bazike, është manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, insistimi i Kosovës në zbatimi e kësaj marrëveshje ka pasur të bëj me parimin e reciprocitetit.
“Qëndrimi ynë për targat ka qenë në parimin e reciprocitetit, të jetë parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlershëm do ta marrim sapo që policia jonë kufitare ta vërtetojë që Serbia po e zbaton pa pengesa vendimin e saj” – ka paralajmëruar Kurti.
Këtë ndryshim të qëndrimit të partisë në pushtet me kryeministrin e ka komentuar edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.
Ai ka thënë se brenda 24 orëve VV-ja dhe Kurti kanë ndryshuar qëndrim.
“VV dje: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranojë targat RKS. Lideri i VV-së Albin Kurti sot: Njohja e targave nga Serbia manovër e Vuçiqit. I ndërron fjalët brenda 24 orësh Qeveria e Ndryshimit!”, ka shkruar Hamiti.













