Dorëheqjet e asamblistëve të Listës Serbe në disa komuna të Kosovës ka krijuar një situatë të re politike, ku KQZ para disa kohësh kishte vendosur për zëvendësimin e tyre me kandidatët në radhë për asamble, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në komunën e Zubin Potokut ku pas dorëheqjeve të asamblistëve të Listës Serbe, vendet e tyre u zëvendësuan nga kandidatët tjerë që ishin në radhë në listat e partive politike.
Zëvendësimi i të dorëhequrve ndryshoj përfaqësimin politik të partive në kuvendin komunal të Zubin Potokut.
Lëvizja Vetëvendosje tash ka 8 asamblistë, LDK 5, PDK 3 dhe iniciativa qytetare serbe 2.
Pavarësisht shumicës dërrmuese të shqiptarëve në përbërjen e kuvendit komunal të Zubin Potokut, prapë kryesues i asamblesë u zgjodh një asamblist serb.
Në mbledhjen e mbajtur më 26 janar në sallën e zyrës lokale për komunitete në Çabër, kryesues i kuvendit komunal u zgjodh Slavisa Bisevac me 10 vota.
Kundërkandidati i Bisevac ishte anëtari i asamblesë nga radhët e PDK, Sefer Veseli, që mori 7.
Nga 16 vota shqiptare në kuvend dhe vetëm 2 asamblistë serb, prapë kryesues u zgjodh Slavisa Bisevac.
Veriu.info mëson se Bisevac u zgjodh kryesues me votat e Lëvizjes Vetëvendosje e cila nuk pranoi kandidatin nga radhët e PDK-së.













